Të Gjelbrit kërkojnë mbrojtjen e zonave të mbrojtura për të ruajtur natyrën, biodiversitetin dhe integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese. Përveç mbrojtjes së tyre, ne kërkojmë edhe shtimin e parqeve kombëtare dhe zgjerimin e zonave të mbrojtura detare.
Mbrojtja e natyrës, biodiversitetit dhe hapësirave të gjelbra duhet të jetë një përparësi kombëtare. Shqipëria dallohet për biodiversitet të jashtëzakonshëm, veçanërisht për vlerat e lumenjve, që konsiderohen ndër më të lartat në Ballkan dhe përbëjnë një pasuri natyrore për gjithë Europën.
Nevoja për mbrojtjen e natyrës është sot më e mprehtë se kurrë dhe duhet përballuar pavarësisht vështirësive ekonomike apo interesave të çastit. Zonat e mbrojtura janë strehë e llojeve të shumta bimore dhe shtazore, të cilat nuk do të mbijetonin në mjedise të prekura nga ndërhyrjet e njeriut.
Kjo pasuri e përbashkët nuk duhet të cënohet. Prandaj, Të Gjelbrit kërkojnë mbështetje për të përballuar me sukses sfidën e mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit. Ne jemi për një mbrojtje aktive të zonave të mbrojtura dhe kërkojmë zbatimin e rreptë të ligjit për të ndaluar ndërhyrjet shpesh dëmtuese që cenojnë natyrën.
Partia e Gjelbër i kërkon Qeverisë të veprojë me urgjencë duke forcuar mekanizmat e mbrojtjes aktive dhe duke rimëkëmbur territorët e shpallura si Zona të Mbrojtura.
Edhe pse Shqipëria ka një sipërfaqe relativisht të vogël të mbrojtur, ajo përfaqëson një pasuri të madhe natyrore: ekosisteme të veçanta, habitate të rralla dhe lloje të çmuara të florës dhe faunës. Fatkeqësisht, ndryshe nga vendet ku natyra ruhet me rigorozitet, tek ne vlerat natyrore po humbasin çdo ditë si pasojë e moszbatimit të ligjit dhe ndërhyrjeve të paligjshme. Shumë zona të mbrojtura dhe territoret përreth tyre janë sot nën presion të madh nga ndërtimet pa plan, degradimi i habitateve dhe zhdukja e specieve.
Ne besojmë se natyra formon identitetin tonë si vend. Shqipëria është e bekuar me një larmi të jashtëzakonshme peizazhesh: detra të thellë blu, brigje ranore, duna rëre, grykëderdhje lumenjsh, laguna bregdetare, fusha aluvionale, kodrina mesdhetare, pyje dushku, ahu e pishe, kullota alpine, shpate shkëmbore dhe male me borë të përjetshme.
Kur natyra është e mbrojtur dhe e paprekur, ajo ofron një fuqi të jashtëzakonshme çlodhëse dhe bëhet më tërheqëse për natyralistët, vizitorët dhe komunitetet lokale.
Por përfitimet e zonave të mbrojtura shkojnë përtej vlerës turistike — ato lidhen me detyrimin për të zhvilluar shoqërinë në harmoni me natyrën, duke bashkëjetuar me botën e gjallë në të tashmen dhe për brezat e ardhshëm.