Ne besojmë tek një Shqipëri e Gjelbër.

Sot na duhet një politikë ndryshe, ku mjedisi, përkrah ekonomisë, të jetë prioritet i çdo qeverie. Na duhet një politikë radikalisht e re, ku mjedisi të marrë përkujdesjen e duhur financiare nga shteti dhe faktorët ekonomikë.

Kjo kërkon gjithashtu një reformë substanciale në edukimin e shoqërisë, duke filluar nga fëmijët parashkollorë dhe deri tek sensibilizimi i politikanëve, të cilët shpesh marrin vendime që cënojnë rëndë mjedisin.

Ne duhet të reagojmë së bashku, që politikanët tanë të mos marrin më vendime të tilla. Një politikë e tillë do të harmonizohej me politikat europiane, pjesë e një beteje globale për të frenuar ngrohjen e planetit, duke vendosur mbrojtjen e mjedisit si prioritet për çdo shqiptar.

Parimet e politikës së gjelbër

Politika ekonomike e re duhet të ketë fokus cilësinë mbi sasinë. Një ekonomi që synon të përmirësojë jetën e qytetarëve, jo të rrisë konsumimin pa kufi, do të ruajë një ekuilibër midis nevojave njerëzore dhe respektit për mjedisin.

Në qëndër të politikës sonë ambientaliste janë:

  • Ndalimi i ndotjes së mjedisit dhe pakësimi i CO₂,
  • Përdorimi i mjeteve me karburant ekologjik,
  • Investimet në transportin publik, përfshirë rrjetet hekurudhore, tramvaj dhe metro,
  • Ruajtja e territorit të gjelbër dhe mbjellja e pemëve për të krijuar kordone të gjelbra,
  • Përforcimi i energjive të rinovueshme dhe stimulimi i bujqësisë organike,
  • Zhvillimi i ekonomisë qarkulluese dhe i ekoturizmit.

Synimet konkrete të Të Gjelbërve

  • Reduktimi i ndotjes: Për arritjen e standardeve të Bashkimit Europian për ajrin.
  • Transporti publik ekologjik: Autobusë elektrikë, mjete me biokarburant, rrjetet e tramvajit dhe hekurudhave, përdorimi i biçikletave në korsi të posaçme.
  • Menaxhimi i mbetjeve: Ndarja në burim, riciklimi dhe ndalimi i importit të plehrave.
  • Mbrojtja e burimeve natyrore: Ripërtëritja dhe përdorimi i kujdesshëm i lumenjve, bregdetit, pyjeve, lagunave, florës dhe faunës.
  • Rritja e sipërfaqeve të gjelbra dhe pyjore: Ndalimi i prerjes së pyjeve dhe mbjellja e fidanëve të rinj; moto: “Një pemë, një jetë”.
  • Investimet në energji të rinovueshme: Energjia e diellit dhe era, panele diellore në pallate dhe ambiente publike.
  • Sektori i teknologjive të gjelbra: Punësim dhe zhvillim i qëndrueshëm, si në vendet më të zhvilluara europiane.
  • Zhvillimi i zonave rurale dhe eko-turizmit, duke promovuar bujqësinë organike.
  • Barazi dhe drejtësi sociale: Mbrojtja e të drejtave civile, barazi gjinore, shëndet dhe mirëqenie për të gjithë.

Pakti ynë i Gjelbër

Ky është pakti ynë i gjelbër, me vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit drejt “Një Shqipërie të Gjelbër”.
Bashkë me qytetarët, ne synojmë të hapim një faqe të re politike, miqësore dhe bashkëpunuese me mjedisin.

Bashkohu me ne – Për një Shqipëri të Gjelbër!
Ndysho Shqipërinë, voto Gjelbër!

Categories: Kryesore