Kongresi i Partisë së Gjelbër Evropiane në Lisbonë.
Një Mesazh i Qartë për Shqipërinë.
Mbi 600 përfaqësues të Të Gjelbërve nga e gjithë Europa u mblodhën në Lisbonë, duke treguar fuqinë e një lëvizjeje europiane që vendos njerëzit dhe planetin në qendër të politikës. Fitoret e fundit të gjelbra në qytete dhe vende të ndryshme të kontinentit dëshmojnë se politika e gjelbër është politika e së ardhmes, një politikë e drejtë, e qëndrueshme dhe inovative.
Në këtë Kongres mori pjesë edhe një delegacion i Të Gjelbërve Shqiptar, i kryesuar nga z. Edlir Petanaj, i cili zhvilloi takime strategjike me delegacionet e partive të gjelbra europiane, përfshirë edhe Të Gjelbrit Gjermanë. Diskutimet u fokusuan mbi:
- Integrimin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor,
- Axhendën e Gjelbër për rajonin,
- Fuqizimin e lëvizjes së gjelbër në Shqipëri.
Z. Petanaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Të Gjelbërve Gjermanë dhe konfirmoi se Shqipëria është e vendosur të ecë me ritëm të shpejtë drejt BE-së, duke respektuar reformën dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Të Gjelbrit Gjerman e vlerësuan progresin e Shqipërisë dhe shprehën optimizëm për realizimin e objektivave të integrimit.
Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor u vlerësua si një strategji rajonale që synon ekonominë e qëndrueshme, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe ambicien e BE-së për neutralitet karboni deri në vitin 2050.
Delegacioni shqiptar theksoi nevojën për fuqizimin e lëvizjes së gjelbër në Shqipëri, duke krijuar një frymë dhe liderëship të bashkuar që përfaqëson të gjithë faktorët ambientalistë dhe qytetarët që duan ndryshim.
Sipas Të Gjelbërve Gjerman, kjo është një domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe një hap i qartë drejt një politike që kujdeset për njerëzit dhe planetin.
Një hap strategjik në këtë drejtim është edhe sjellja në Shqipëri e fondacionit Heinrich Böll Stiftung, që do të mbështesë zhvillimin e lëvizjes së gjelbër dhe përparimin e projekteve qëndrore të axhendës europiane.
Mesazhi është i qartë: Shqipëria ka nevojë për një politikë të gjelbër, që fuqizon qytetarët, mbron mjedisin dhe ecën drejt integrimit europian. Të Gjelbrit shqiptarë janë gati të jenë zëri i këtij ndryshimi.