Me iniciativë të Të Gjelbërve u zhvillua një takim vendimtar me përfaqësues të shoqatave mjedisore, klubeve ekologjike dhe rrjeteve aktive në mbrojtjen e mjedisit, me qëllim krijimin e një fronti të përbashkët politik “Për një Shqipëri të Gjelbër”. Ky hap shënon fillimin e një periudhe të re për angazhimin ambiental dhe konsolidimin e politikave ekologjike në vend.
Kryetari i Të Gjelbërve, z. Edlir Petanaj, u drejtua qartë ndaj qeverisë dhe institucioneve: “Shqipëria po përballet me një krizë ekologjike të thellë. Nuk ka më kohë për vonesa! Reduktimi i ndotjes, përdorimi i energjive të rinovueshme, transporti ekologjik, mbrojtja e burimeve natyrore dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra duhet të vendosen menjëherë në axhendën e çdo qeverie. Politika e gjelbër është prioritet kombëtar, dhe çdo zvarritje ka kosto të lartë për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.”
Ai bëri thirrje të fuqishme edhe ndaj qytetarëve: “Tani është koha për bashkim! Shoqëria civile, qytetarët, komunitetet lokale dhe institucionet duhet të bashkohen për të krijuar një Aleancë gjithëpërfshirëse, që vendos ekologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në qendër të vendimmarrjes. Vetëm duke vepruar së bashku mund të ndërtojmë një Shqipëri të pastër, të gjelbër dhe të sigurt për brezat e ardhshëm.”
Petanaj ritheksoi se modeli aktual ekonomik është një nga faktorët kryesorë të ndotjes dhe se vendi ka nevojë urgjente për një qasje të re: “Politikat ekonomike duhet të jenë të orientuara drejt eko-zhvillimit. Prioritet duhet të jenë ndalimi i ndotjes, reduktimi i emetimeve të CO₂, rritja e energjive të rinovueshme, transporti ekologjik, ruajtja e burimeve natyrore dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra. Mbrojtja e mjedisit dhe siguria ekologjike janë boshti i çdo politike shtetërore.”
Duke iu referuar situatës europiane dhe globale, ai theksoi se e ardhmja i përket zhvillimit të qëndrueshëm dhe politikanëve që e vendosin ekologjinë në krye të agjendës: “Tani duhet vendime konkrete, politika të guximshme dhe aksion të menjëhershëm. Shqipëria nuk mund të presë më! E ardhmja politike është e atyre që veprojnë sot për një Shqipëri të Gjelbër.”
Në emër të lëvizjes ambientaliste foli z. Lavdosh Ferruni, i cili vlerësoi nismën si një hap vendimtar për forcimin e aksionit të gjelbër në vend. Ai bëri thirrje për bashkim të të gjithë aktorëve ambientalistë: “Vetëm duke bashkuar forcat do të krijojmë një zë të fuqishëm politik që nuk mund të injorohet. Bashkimi me mbështetjen e Partisë së Gjelbër dhe të Partisë së Gjelbër Europiane do të krijojë një aktor politik me peshë të ndjeshme, që do të imponojë ndryshime reale dhe të qëndrueshme në Shqipëri.”
Në përfundim të takimit u vendos ngritja e një grupi të përbashkët pune, i cili do të hartojë programin, orientimet strategjike dhe strukturën organizative të Aleancës së Gjelbër. Ky hap është një thirrje drejtpërdrejtë për qeverinë, institucionet dhe qytetarët: Tani është koha për të vepruar, për të vendosur ekologjinë në krye të politikës kombëtare dhe për të ndërtuar një Shqipëri të Gjelbër për brezat e ardhshëm.