Koha për një zë të fortë qytetar dhe politik në mbrojtje të mjedisit.
Nga Edlir PETANAJ.
Drejtuesi i Të Gjelbërve.
Mjedisi është shtëpia jonë e përbashkët, ndaj kontributi dhe angazhimi i çdo qytetari është i pazëvendësueshëm. Një shtyllë kryesore për përmirësimin e situatës mjedisore është rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit qytetar. Pa një shoqëri të vetëdijshme, nuk mund të kemi mbrojtje efektive të mjedisit.
Sot kemi organizata dhe grupe që luajnë një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin qytetar. Media e shkruar dhe ajo vizive raportojnë më shumë se kurrë për çështjet mjedisore. Por, megjithëse janë bërë hapa përpara, ende ka shumë më tepër për të bërë.
Edukimi mjedisor duhet të nisë herët dhe të përfshijë të gjithë shoqërinë
Ndërgjegjësimi për mjedisin duhet të fillojë që në moshën parashkollore dhe të vazhdojë si proces i vazhdueshëm, duke përfshirë të gjitha hallkat:
- shkollat,
- familjen,
- institucionet publike,
- shoqatat dhe klubet ambientaliste,
- median dhe shtypin.
Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të ndjeshme dhe aktive ndaj problemeve mjedisore.
Edukimi qytetar duhet të jetë i shumëplanëshëm. Nuk mjafton t’u tregojmë njerëzve faktet dhe shifrat mbi shkatërrimin e mjedisit. Më e rëndësishme është t’i ndërgjegjësojmë për rolet që ata kanë si faktorë përcaktues të fatit të tyre dhe të vendit.
Pse Shqipëria ka ende një zë të dobët qytetar dhe një zë të dobët politik
Deri tani, reagimet e shoqërisë civile dhe publikut të gjerë nuk kanë arritur të ndalojnë miratimin e vendimeve që dëmtojnë mjedisin. Ndryshe ndodh në vendet europiane, ku politikanët janë shumë të ndjeshëm ndaj reagimit qytetar, pikërisht sepse qytetarët e atyre vendeve janë të vetëdijshëm për të drejtat, shëndetin dhe mirëqenien e tyre mjedisore.
Protestat qytetare në Europë kanë pasur impakt të madh. Zëri i qytetarëve ka diktuar vendimet politike. Atje, mbrojtja e mjedisit është ndër çështjet më prioritare të politikëbërësve.
Por në Shqipëri, për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur.
Mjedisi nuk ka qenë asnjëherë prioritet i politikës shqiptare, as në nivel qendror, as në qeverisjen lokale. Kjo ka sjellë vendime të padrejta dhe të dëmshme për natyrën dhe burimet tona natyrore.
Duke qenë një vend në zhvillim, me dëshirën për t’u pasuruar shpejt, ne i jemi vërsulur burimeve të natyrës sikur ato janë të pafundme, sikur jeta fillon dhe mbaron me ne. Por kjo i rrezikon rëndë fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre.
Qytetarët presin përgjegjësi. Tani është radha e politikës.
Qytetarët duan që shkatërrimi mjedisor të marrë fund. Por ata e dinë se, përveç ndërgjegjësmit qytetar, është jetike ndërgjegjësimi i atyre që marrin vendimet, politikëbërësit.
Arritja e këtij ndryshimi nuk është e lehtë dhe kërkon:
- angazhim të gjerë qytetar,
- bashkëpunim mes organizatave mjedisore,
- presion të fortë publik ndaj institucioneve.
Ka ardhur koha të hapim një faqe të re politike, miqësore dhe bashkëpunuese me mjedisin. Është përgjegjësia jonë t’u lëmë brezave të ardhshëm thesaret natyrore që trashëguam nga të parët tanë.