Partitë e Gjelbra po bëhen përcaktuese me rritjen e tyre.
Nga Edlir PETANAJ.
Drejtuesi i Të Gjelbërve.
Një valë e gjelbër shprese po përfshin Europën. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje nuk janë më radikalët ekologjikë të viteve ’80, që sfiduan politikën e kohës, por sot ata përfaqësojnë një politikë reale, e cila synon transformimin e shoqërisë për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të realizuar drejtësinë shoqërore.
Suksesi i fundit i të Gjelbërve në Bavari, ku u renditën si partia e dytë, është pjesë e një trendi më të gjerë në Europë, me rezultate të shënuara edhe në vende të tjera si Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Finlanda, Austria, Suedia etj.
Në Europë, epoka e partive të mëdha duket se po merr fund. Fragmentarizimi i skenës politike është tashmë një realitet, dhe peisazhi politik po ndryshon. Me rritjen e tyre, partitë e Gjelbër po bëhen përcaktuese në vendimmarrje. Ky sukses vjen si rezultat i vlerave që këto parti mbartin dhe besimit në rritje të qytetarëve tek ato për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre. Platforma e tyre politike përfaqëson shpresën për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë.
Politika e Gjelbër ka evoluar
Edhe pse fillimisht u krijuan si një lëvizje e re e së majtës kundër energjisë bërthamore dhe për paqen, sot Të Gjelbrit synojnë të përfaqësojnë një politikë më të gjerë, në themel të së cilës qëndrojnë:
- mjedisi,
- drejtësia sociale,
- gjithëpërfshirja,
- zhvillimi i qëndrueshëm,
- respektimi i diversitetit,
- inovacioni digital dhe solidariteti shoqëror.
Politikat e Gjelbër janë më të hapura, gjithëpërfshirëse dhe më pranë qytetarëve. Politika e Gjelbër po triumfon si përfaqësuese e njerëzve të thjeshtë, duke ngritur zërin për cilësinë e jetës dhe shanset e barabarta.
Të Gjelbrit në Shqipëri
Fitoret e Gjelbërve në disa vende të zhvilluara europiane do të fuqizojnë lëvizjen e Gjelbër edhe në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.
I takon Të Gjelbërve shqiptarë të përgjigjen ndaj kësaj situate:
- të mbledhin forcat dhe të organizohen më mirë,
- të bashkojnë ambientalistët, ekologjistët, intelektualët, të rinjtë dhe të rejat në një lëvizje të vetme,
- të krijojnë një bllok të madh dhe të mirëorganizuar, me vizion të qartë për të ardhmen e gjelbër të Shqipërisë, që tërheq votuesit që duan ndryshimin.
Të Gjelbërit duhet të jenë frymëzim për brezin e ri, duke e inkurajuar atë të përfshihet në politikë, të marrë përgjegjësitë për ecjen përpara të vendit dhe për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.