Për të ndërtuar të ardhmen tonë si komb duhet të kujdesemi për natyrën.
Edlir PETANAJ.
Drejtuesi i Të Gjelbërve.
Ndryshimet klimatike dhe shkatërrimi i burimeve natyrore janë dy sfidat më të mëdha nga të cilat varet mbijetesa dhe e ardhmja jonë.
Mbrojtja e klimës dhe e burimeve natyrore është detyra e kohës sonë. Nuk mund të lejojmë shkatërrimin e mëtejshëm të natyrës, që kërcënon seriozisht të tashmen dhe të ardhmen tonë
Jemi përpara një momenti kritik historik, ku duhet të gjejmë forcën për të reaguar. Është koha të zgjohemi dhe të ngremë zërin kundër një politike përjashtuese, pa vizion të qartë, e cila ka përgjegjësi kryesore për krizën ekologjike që po përballemi.
Është koha të punojmë së bashku dhe të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurtë.
Modeli aktual i zhvillimit nuk mjafton
A është modeli aktual i zhvillimit zgjedhja e duhur për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe aftësinë e qytetarëve për t’u përballur me vështirësitë? Sigurisht që jo!
Qytetarët e thjeshtë duan të kenë shëndet të mirë dhe siguri, sidomos përballë kërcënimeve të së ardhmes, qofshin ato të lidhura me klimën, fenomenet atmosferike ose emergjencat shëndetësore.
Kjo thirrje qytetare duhet të na shërbejë si motiv për të ndryshuar qasjen aktuale të zhvillimit. Ne duhet të vendosim në qendër të prioriteteve transformimin e gjelbër drejt një shoqërie të qëndrueshme.
Çfarë duhet të bëjmë?
Në këtë përpjekje, kuptojmë se kemi shumë për të bërë nga fillimi dhe shumë për të korrigjuar nga e shkuara. Disa nga detyrat kryesore janë:
- Pakësimi i emetimeve të CO₂,
- Fuqizimi i transportit publik dhe ekologjik,
- Krijimi i hapësirave të gjelbra,
- Investimet në energjitë e rinovueshme,
- Fuqizimi i burimeve lokale,
- Zhvillimi i bujqësisë organike,
- Ekoturizmi dhe ekonomia qarkulluese,
- Dhe shumë investime të tjera të gjelbra.
Mesazhi që na jep koha është i qartë: nuk do të ketë një të ardhme nesër, nëse sot nuk ndryshojmë modelin e jetesës drejt një modeli të gjelbër!
Thirrja jonë qytetare
Ne, Të Gjelbrit, e ndjejmë si detyrë t’i bëjmë thirrje qytetarëve:
“Të punojmë dhe të ndërtojmë së bashku një shoqëri ekologjikisht të qëndrueshme dhe një të ardhme të sigurtë.”
Duhet të transformojmë qytetet tona në komunitete urbane të gjelbra, të jetojmë në paqe, mirëqenie dhe harmoni me kufijtë e përcaktuar nga Natyra.