Ishte kjo tema e seminarit frymëzues për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, zhvilluar në Tiranë, nga rrjeti i grave të gjelbra
Fjala “E Gjelbër” mund t’i bëjë njerëzit të besojnë se Partitë e Gjelbra merren vetëm me çështje mjedisore kur në fakt në themelet e filozofisë së të Gjelbërve qëndron fuqizimi i demokracisë, zhvillimi i qendrueshëm, politikat paqësore, çështjet gjinore dhe drejtësia sociale.
Të Gjelbërit Europianë kanë qenë pionierë të përfaqësimit të barabartë të sekseve në proceset zgjedhore. Duke aplikuar thuajse sistematikisht barazinë, të Gjelbërit i’a kanë dalë të feminizojnë strukturat dhe forumet e tyre të brendshme dhe të jashtme.
Partitë e Gjelbra sot, kudo që veprojnë, po inkurajojnë dhe motivojnë gratë, veçanërisht gratë e reja, që të hyjnë në politikë. Prirja e tyre për t’u kujdesur më shumë për idealet e gjelbra i ka bërë ato pjesë të lidershipit të lëvizjeve politike të gjelbra.
Të Gjelbërit e Shqipërisë do të vazhdojnë të ruajnë këtë traditë të mirë të të gjelbërve europianë e më gjerë, ndër të tjera duke i dhënë prioritet faktit që listat elektorale të udhëhiqen nga një grua.
“Unë besoj se mënyra jonë e të vepruarit dhe të bërit politikë, është ajo që na dallon ne të Gjelbërve nga partitë e tjera” – tha Keida Ushtelenca, drejtuesja e rrjetit të grave të gjelbra.
Ne dëshirojmë ta ndryshojmë rregullin e pushtetit gjinor, i cili pengon barazinë ekonomike, sociale dhe politike. Duhet të ndërmarrim aksione pozitive për pjesëmarrjen e gruas në fusha publike dhe private derisa të dy sekset të arrijnë barazinë.
Në seminar u fol për arritjet dhe rolin e grave të gjelbra në lidership dhe qeverisje në vende të ndryshme europiane dhe më gjerë.
Gjithashtu këshilltaret e Partisë së Gjelbër sollën në këtë takim rezultatet e punës së tyre në implementimin e politikave të gjelbra në këshillat bashkiak dhe rritjen e influencës së tyre në komunitet.
Çështjet mjedisore dhe politikat e gjelbra zunë një vend të rëndësishëm në diskutimet e zonjave të pranishme.
Forcimi i rrjetit të grave të gjelbra do të rrisë rolin e gruas në forumet vendimarrëse brenda partisë si dhe do të rrisë influencën e saj në komunitet. Ky rrjet do të inkurajojë dhe përkrahë gratë, jo vetëm ato të gjelbra, për të zënë vendin që meritojnë në politikë dhe në shoqëri.