TË GJELBRIT PËR NJË SHQIPËRI TË QËNDRUESHME, TË DREJTË DHE MIQËSORE ME NATYRËN
Përgjegjësia mjedisore, drejtësia, liria, diversiteti dhe paqja janë vlera të pandara që përbëjnë thelbin e filozofisë së Gjelbër. Zhvillimi i qëndrueshëm kërkon ekuilibër midis dimensionit social, ekonomik dhe mjedisor. Të Gjelbrit besojnë në një model zhvillimi që respekton natyrën dhe gjeneratat e ardhshme, duke shmangur shfrytëzimin e pamëshirshëm të burimeve natyrore. Eko-zhvillimi është rruga drejt një Shqipërie të drejtë, të gjelbër dhe të qëndrueshme.
Ekonomia dhe Punësimi i Gjelbër
Ekonomia e së ardhmes është ekonomia e gjelbër, që nxit industrinë, riciklimin, inovacionin dhe punësimin e qëndrueshëm. Industria e gjelbër përfshin teknologjitë që ruajnë burimet natyrore, ulin ndotjen dhe krijojnë vende pune me ndikim pozitiv social. Eko-turizmi është prioritet kombëtar, sepse lidhet me mjedisin, kulturën dhe zhvillimin lokal.
Prioritetet tona:
- Hartimi i Strategjisë Kombëtare për Ekonominë e Gjelbër.
- Zhvillimi i industrisë së riciklimit dhe produkteve ekologjike.
- Nxitja e Green Jobs, vende pune të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.
- Identifikimi i elementëve natyrorë të rrallë për krijimin e industrive të reja ekologjike.
- Krijimi i zonave eko-turistike malore dhe bregdetare.
- Zhvillimi i eko-turizmit si sektor me përparësi kombëtare.
Transporti i Qëndrueshëm
Një qytet i shëndetshëm është ai ku njerëzit dhe jo makinat kanë përparësi.
Prioritetet tona:
- Hartimi i strategjisë për transport publik të pastër dhe efikas.
- Përdorimi i mjeteve me biokarburant, trolebusë, tramvaj dhe metro moderne.
- Zhvillimi i infrastrukturës për biçikleta me korsi të sigurta.
- Futja e tatimeve për karburantet ndotëse dhe favorizimi i transportit ekologjik.
- Promovimi i qyteteve pa makina dhe menaxhimi inteligjent i trafikut.
- Investime në hekurudha si transport ekologjik e ekonomik.
Energjia e Rinovueshme
Të Gjelbrit besojnë se e ardhmja e Shqipërisë është energjia e pastër.
Qëndrime kryesore:
- Kundër ndërtimit të centraleve me qymyr dhe energjisë bërthamore.
- Nxitja e prodhimit të energjisë nga era, dielli, uji, biomasa dhe burimet gjeotermale.
- Arkitekturë bioklimatike për ngrohje dhe ndriçim natyror.
- Lehtësira fiskale për panelet diellore dhe sistemet fotovoltaike.
- Përdorimi i taksës së karbonit për pyllëzim dhe mbështetje të energjive të pastra.
- Përfshirja e pushtetit vendor në zbatimin e projekteve të energjisë së rinovueshme.
Ushqimi dhe Bujqësia Ekologjike
Ushqimi i shëndetshëm fillon me tokën e shëndetshme.
Prioritetet tona:
- Zhvillimi i bujqësisë biologjike dhe reduktimi i pesticideve e hormoneve.
- Mbështetje për fermerët që kalojnë në prodhim ekologjik.
- Heqja e TVSH-së për ushqimet ekologjike.
- Ndalimi i OMGJ-ve dhe ushqimit të rrezatuar.
- Etiketim i detyrueshëm e transparent për përmbajtjen e produkteve ushqimore.
- Zhvillimi i bujqësisë organike si sektor punësimi për zonat rurale.
Vizioni i Gjelbër për Shqipërinë
Ne synojmë një Shqipëri ku:
- Zhvillimi ekonomik ecën në harmoni me natyrën;
- Energjia e pastër është baza e mirëqenies;
- Ushqimi, ajri dhe uji janë të shëndetshëm për të gjithë;
- Qytetarët marrin pjesë aktivisht në mbrojtjen e mjedisit;
- Gjeneratat e ardhshme trashëgojnë një vend të gjelbër, të drejtë dhe të qëndrueshëm.