POLITIKAT E GJELBRA PËR MBROJTJEN E MJEDISIT DHE BURIMEVE NATYRORE

Angazhimi ynë për natyrën dhe jetën

Burimet natyrore, toka, pyjet, ujërat, ajri, mineralet dhe biodiversiteti, janë pasuria më e çmuar që na ofron natyra. Ato janë themeli i zhvillimit ekonomik, i shëndetit publik dhe i qëndrueshmërisë përballë krizës klimatike.

Mbrojtja e tyre është një detyrim kombëtar dhe moral, për gjeneratat e sotme dhe ato që do të vijnë.

Shqipëria gëzon një biodiversitet të pasur dhe një potencial të madh ekologjik, por këto pasuri janë sot nën presion të vazhdueshëm: shpyllëzimi, ndotja, ndërtimet pa kriter dhe keqmenaxhimi i zonave të mbrojtura po dëmtojnë ekosistemet tona. Pavarësisht ekzistencës së ligjeve, zbatimi i tyre është i dobët, dhe mungojnë mekanizma efektivë për kontroll dhe monitorim. Biodiversiteti është baza e jetës dhe kushti themelor për zhvillim të qëndrueshëm.

Pasojat që ndjejnë sot qytetarët

  • Humbja e pyjeve rrit rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave.
  • Ndërhyrjet në lumenj dëmtojnë cilësinë e ujit dhe ulin prodhimin bujqësor.
  • Ndotja e ujërave dhe shkatërrimi i habitateve ndikojnë drejtpërdrejt në shëndet dhe cilësinë e jetës.
  • Degradimi i tokës dëmton ekonominë rurale dhe shton emigracionin.
  • Humbja e sipërfaqeve të gjelbra ul cilësinë e ajrit dhe rrit pasigurinë për të ardhmen.

Qasja jonë e gjelbër

Të Gjelbrit besojnë se çdo zhvillim ekonomik duhet të jetë në harmoni me natyrën. Qëllimi ynë është një menaxhim i qëndrueshëm i burimeve natyrore, përmes veprimeve konkrete dhe të matshme:

1. Mbrojtja dhe Ruajtja:

  • Hartimi i një Strategjie Kombëtare gjithëpërfshirëse për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore.
  • Forcimi i mbrojtjes së pyjeve dhe ndalimi i prerjeve ilegale.
  • Ruajtja e biodiversitetit dhe e habitateve ujore (liqeneve, kënetave dhe zonave bregdetare).
  • Vendosja e moratoriumeve të përkohshme për zonat me degradim të lartë ekologjik.

2. Qeverisja dhe Zbatimi i Ligjit:

  • Zbatim i rreptë i ligjeve mjedisore dhe transparencë e plotë në dhënien e lejeve.
  • Krijimi i një Agjencie të Monitorimit të Pyjeve dhe Lumenjve me pjesëmarrje të gjerë qytetare.
  • Përdorimi i taksave mjedisore për projekte të rigjenerimit të natyrës.
  • Ndërgjegjësim publik për vlerën e pasurive natyrore.

3. Zhvillimi i Qëndrueshëm:

  • Investime në teknologji të gjelbra për pastrimin e ujërave dhe tokës së ndotur.
  • Promovimi i energjisë së pastër dhe i zhvillimit të qëndrueshëm rural.

Vizioni i Gjelbër

Të Gjelbrit synojnë një Shqipëri ku zhvillimi ekonomik ecën përkrah natyrës, ku qytetarët jetojnë në harmoni me mjedisin dhe ku pasuritë natyrore ruhen si themel i identitetit tonë kombëtar.

Mbrojtja e burimeve natyrore është rruga drejt një të ardhmeje të gjelbër, të shëndetshme dhe të drejtë për të gjithë. Zhvillimi i gjelbër dhe forcimi i sistemit ligjor për mbrojtjen ekologjike duhet të jenë themelet e politikave të qëndrueshme të Shqipërisë së së ardhmes.