POLITIKAT KUNDËR NDOTJES
Një angazhim për ajër të pastër, ujë të pastër dhe jetë të shëndetshme
Ndotja, një kërcënim për jetën dhe zhvillimin e qëndrueshëm
Ndotja e mjedisit është një nga sfidat më të mëdha globale të kohës sonë. Ajo ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut, në ekuilibrin ekologjik dhe në cilësinë e jetës. Kur ndotim ajrin, ujin dhe tokën, ne dëmtojmë në thelb burimet që na mbajnë gjallë.
Në Shqipëri, ndotja e mjedisit vjen kryesisht nga një sërë faktorësh, përfshirë transportin e vjetëruar dhe të paefikas, aktivitetet industriale, djegien e paligjshme të mbetjeve, përdorimin e pakontrolluar të kimikateve në bujqësi dhe mungesën e planifikimit urban të qëndrueshëm. Këta faktorë po tejkalojnë aftësinë e natyrës për t’u vetëpastruar dhe po ndikojnë në cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës në mbarë vendin.
Llojet kryesore të ndotjes që kërkojnë veprim urgjent
- Ndotja e ajrit: Shkaktuar nga automjetet me karburant dizel, shkarkimet industriale dhe djegia e paligjshme e mbetjeve. Kjo është kthyer në një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik, veçanërisht në zonat urbane.
- Ndotja e ujit: Lumenjtë dhe detet po ndoten nga shkarkimet industriale dhe bujqësore, si dhe nga mungesa kritike e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.
- Ndotja e tokës: Përdorimi i tepruar i pesticideve dhe plehrave kimike po dëmton tokat bujqësore, duke ulur prodhimtarinë dhe duke kërcënuar sigurinë ushqimore.
- Ndotja akustike: Trafiku, ndërtimet dhe urbanizimi pa plan po ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetesës, veçanërisht në zonat urbane.
Pasojat që po ndjejnë sot qytetarët nga ndotja
Ndotja nuk është më një problem abstrakt, por realiteti i përditshëm i shumë qytetarëve:
- Në qytetet e mëdha, fëmijët dhe të moshuarit janë grupet më të rrezikuara nga sëmundjet respiratore të shkaktuara nga ajri i ndotur.
- Rritja e rasteve me alergji, astmë dhe sëmundje kardiovaskulare (të zemrës) lidhet drejtpërdrejt me ndotjen urbane.
- Uji i ndotur sjell rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe ndikon në cilësinë e prodhimeve bujqësore që konsumojmë.
- Zhurmat e vazhdueshme të trafikut dhe ndërtimit po ndikojnë në shëndetin mendor, çrregullimet e gjumit dhe cilësinë e përgjithshme të jetës.
- Në zonat rurale, ndotja e tokës dhe ujërave po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën e fermerëve dhe arritjen e prodhimit të qëndrueshëm.
Në thelb, ndotja po prek shëndetin, ekonominë dhe dinjitetin e qytetarëve. Ajo po i kushton çdo familjeje më shumë shpenzime për kujdesin shëndetësor dhe po dëmton cilësinë e jetës si në mjedisin urban ashtu edhe në atë rural.
Politikat e gjelbra kundër ndotjes
Shqipëria përballet me ndotje të ajrit, ujit, tokës dhe mbetjeve urbane, kryesisht për shkak të transportit të vjetër, menaxhimit të dobët të mbetjeve, industrive ndotëse dhe mungesës së kontrollit mjedisor. Politikat e gjelbra synojnë të kthejnë zhvillimin ekonomik në një drejtim të qëndrueshëm dhe miqësor me natyrën.
Ndotja e ajrit
- Heqja graduale e automjeteve të vjetra ndotëse dhe përdorimi i mjeteve të reja jo ndotëse.
- Investime në transport publik elektrik dhe biçikleta.
- Menaxhimi i trafikut dhe përmirësim i infrastrukturës rrugore.
- Krijimi i zonave urbane pa makina dhe gjelbërimi i qyteteve.
Ndotja e ujit
- Ndërtimi dhe mirëmbajtja e impianteve për pastrimin e ujërave të ndotura.
- Kontroll i shkarkimeve industriale dhe ndalimi i ndotjes së lumenjve.
- Mbrojtja e burimeve ujore dhe ndalimi i ndërtimeve në brigje.
Ndotja akustike
- Të ngrihet një rrjet i monitorimit dhe kontrollit të vazhdueshëm për nivelet e larta të zhurmave dhe prishjen e qetësisë së banorëve në zonat urbane.
- Paralelisht, autoritetet kompetente duhet të ndërmarrin studime të nevojshme për të mbrojtur popullsinë nga burimet e ndotjes akustike që kërcënojnë shëndetin tonë fizik dhe mendor.
- Kultura e qetësisë duhet të zëvendësojë atë të zhurmës.
Ndotja e tokës dhe bujqësisë
- Nxitja e bujqësisë organike dhe reduktimi i pesticideve kimike.
- Riciklimi dhe përdorimi i mbetjeve bujqësore si biokarburant.
- Parandalimi i ndotjes nga depozitimet e pakontrolluara.
- Përmirësimi i gjendjes së tokave të ndotura.
- Mbrojtja e tokës bujqësore dhe ndalimi i ndërtimeve në të.
Mbetjet urbane
- Përmirësimi i infrastrukturës dhe sistemit të menaxhimit, bazuar në Direktivën e BE-së.
- Zbatimi i Hierarkisë së Mbetjeve (Parandalimi; Ripërdorimi; Riciklimi; Rikuperimi dhe Depozitimi).
- Ndarja e mbetjeve në burim dhe ndalimi i djegies së tyre.
- Rritja e përgjegjësisë qeverisëse dhe ndërgjegjësimit qytetar.
- Zhvillimi i një ekonomie qarkulluese për riciklim dhe ripërdorim.
Energjia dhe industria
- Kalimi drejt energjive të rinovueshme (diellore, erë).
- Vendosja e taksave mbi ndotjen industriale.
- Mbështetje për bizneset që zbatojnë standarde të gjelbra.
Qeverisja mjedisore
- Zbatimi efektiv i ligjit dhe direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për mjedisin, si sfida më e madhe në kuadër të Kapitullit 27: Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.
- Forcimi i inspektimeve, kontrollit dhe gjobave për ndotësit.
- Transparencë në projektet dhe lejet që ndikojnë mjedisin.
- Pjesëmarrje e qytetarëve dhe shoqërisë civile në mbrojtjen e mjedisit.
Të Gjelbrit besojnë se çdo politikë mjedisore duhet të mbrojë jetën dhe shëndetin e njeriut, të ruajë pasuritë natyrore dhe të garantojë kushte të drejta për zhvillim të qëndrueshëm.
Të Gjelbrit synojnë të krijojnë një ekonomi të pastër, një shoqëri të shëndetshme dhe një mjedis të qëndrueshëm, duke e bërë Shqipërinë një vend ku zhvillimi dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni. Ne angazhohemi për një transformim të plotë të politikave kundër ndotjes, duke u mbështetur në standardet e Bashkimit Evropian dhe në parimet e Tranzicionit të Gjelbër.