Ngrohja globale, sfida jonë mjedisore.
Nga Edlir PETANAJ.
Drejtuesi i Të Gjelbërve.
Tashmë nuk ka më asnjë dyshim se njerëzimi, përmes veprimtarive të tij, e ka çuar Tokën drejt temperaturave rekord. Raportet e Kombeve të Bashkuara dhe të grupeve të shumta shkencore konfirmojnë se planeti po ngrohet vazhdimisht për shkak të rritjes së përqendrimit të gazeve serrë, veçanërisht CO₂, duke shkaktuar pasoja të thella në mbarë botën.
Kjo situatë, pas vite debatesh, çoi në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, ku shtetet u angazhuan të reduktojnë aktivitetet industriale që konsiderohen burimet kryesore të ndotjes. Shkencëtarët paralajmërojnë se edhe një rritje prej vetëm 1°C e temperaturës së oqeaneve mjafton për shkrirjen e akujve polarë dhe rritjen e nivelit të deteve, një skenar katastrofik për shumë vende bregdetare.
Miliona njerëz rrezikojnë të zhvendosen, ndërsa sipërfaqe të tëra toke mund të zhduken.
Nëse nuk merren masa urgjente për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe frenimin e ndryshimeve klimatike, nivelet ekstreme të nxehtësisë mund të bëhen normale deri në vitin 2050.
Ndikimi i krizës klimatike në Shqipëri
Ndryshimet klimatike tashmë po e prekin edhe Shqipërinë, dhe situata përkeqësohet nga viti në vit. Kapacitetet mbrojtëse dhe reagimi i shtetit shpesh nuk janë të mjaftueshme për t’u përballur me këto sfida.
Studimet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë ndër vendet me rrezikshmëri të lartë për fenomene ekstreme si:
- përmbytjet,
- thatësirat,
- zjarret në pyje.
Shkencëtarët vendas vënë në dukje se temperaturat mesatare vjetore janë rritur me 1°C krahasuar me mesataren historike, ndërsa reshjet e dëborës janë reduktuar në minimum, duke sjellë mungesë depozitimi në majat e maleve.
Rritja e nivelit të detit është një kërcënim i madh për ultësirën perëndimore.Vetëm 5 cm ngritje e nivelit të detit mund të përmbytë zona të gjera që ndodhen pranë ose nën nivelin e tij.
Temperaturat e larta, thatësira dhe reshjet ekstreme do të vazhdojnë të kërcënojnë sektorët më jetikë të ekonomisë, nga bujqësia te energjia, nga turizmi te infrastruktura.
Nevoja urgjente për veprim shtetëror
Përballë kësaj situate, është thelbësore marrja e masave të menjëhershme shtetërore. Këto masa duhet të përfshijnë:
plane të qarta dhe të zbatueshme për përballimin e ngrohjes globale,
politika afatgjata për ambientin dhe klimën,
strategji për zhvillim të qëndrueshëm kombëtar.
Zbatimi i politikave të gjelbra në energji, transport, bujqësi dhe teknologji do ta ndihmonte vendin të përshtatej me sfidat ekologjike që po vijnë. Përveç zjarreve, Shqipëria do të duhet të përballet me sfida të sigurisë ushqimore, reshje ekstreme, përmbytje, thatësira të gjata, dëmtim të biodiversitetit dhe përhapje sëmundjesh të lidhura me ndryshimet klimatike.
Këto fenomene janë një kërcënim real për dekadat që vijnë.
Roli i qytetarëve dhe ndërgjegjësimi publik
Në përballimin e sfidave klimaterike, ndërgjegjësimi i publikut mbetet i pazëvendësueshëm. Kontributi i çdo qytetari është thelbësor. Aktet e vogla të përditshme në mbrojtje të mjedisit ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës sonë dhe të brezave të ardhshëm.