POLITIKAT E GJELBRA PËRBALLË NDRYSHIMEVE KLIMATIKE

Ndryshimet klimatike nuk janë më një çështje e së ardhmes, ato janë realiteti i sotëm që po kërcënon jetën, ekonominë dhe ekosistemet tona. Temperaturat globale në rritje, zjarret, përmbytjet dhe thatësirat ekstreme janë dëshmi e një krize që po ndodh tani.
Në këtë sfidë, Shqipëria ndodhet në vijën e parë të rrezikut.

Shqipëria përballë krizës klimatike

Vitet e fundit, vendi ynë ka përjetuar dëmtime të rënda mjedisore e ekonomike. Zjarre shkatërruese që dëmtojnë pyjet, biodiversitetin dhe ekonominë lokale.Përmbytje dëmtuese që rrënojnë bujqësinë, shtëpitë dhe infrastrukturën për shkak të kanalizimeve të vjetruara. Thatësira të gjata që rrezikojnë sigurinë ushqimore dhe furnizimin me energji. Këto nuk janë ngjarje të izoluara. Ato tregojnë se Shqipëria ka nevojë urgjente për një strategji kombëtare të mbrojtjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Ne, Të Gjelbrit, nuk pranojmë të qëndrojmë duarkryq përballë një krize që prek të gjithë.
Ne propozojmë një plan kombëtar të gjelbër, të bazuar në parime të qëndrueshmërisë, drejtësisë dhe solidaritetit:

  • Strategjia Kombëtare e Adaptimit Klimatik
    Hartimi i një plani gjithëpërfshirës për parandalimin e katastrofave, mbrojtjen e komuniteteve dhe rimëkëmbjen e ekosistemeve.
  • Menaxhimi i Zjarreve dhe Pyjeve
    Investime në monitorim ajror, rikthimin e rojeve pyjore, dhe politika nxitëse për komunat që luftojnë zjarrvënien.
  • Menaxhimi i Ujit dhe Tokës
    Rindërtimi i kanalizimeve, përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe mbështetja për bujqësi konservuese me kultura rezistente ndaj thatësirës.

Tranzicioni Energjitik
Investime masive në energjinë e pastër diellore, eolike, gjeotermike dhe biomase,  për të reduktuar varësinë nga burimet fosile dhe për të rritur pavarësinë energjetike.

Adaptimi i Ekonomisë Shqiptare ndaj Ndryshimeve Klimatike

Ndryshimet klimatike janë gjithashtu një krizë ekonomike.

Tre sektorë janë më të goditurit :

  • Bujqësia: Thatësirat shkurtojnë sezonet e kultivimit dhe rrisin varësinë nga importet.
  • Energjia: Hidrocentralet, që varen nga reshjet, bëhen të pasigurta në periudha thatësirash.
  • Turizmi: Erozioni dhe degradimi i zonave bregdetare dëmtojnë imazhin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Strategjia e Gjelbër Ekonomike

Ne propozojmë një model ekonomik të ri, të bazuar në:

  • Siguri dhe Qëndrueshmëri Energjetike:
    Diversifikim i burimeve të energjisë, rritje e efikasitetit dhe përdorim i teknologjive moderne për kursimin e energjisë.
  • Rilindje e Gjelbër e Sektorëve Vitalë:
    Mbështetje për bujqësinë ekologjike, investime në infrastrukturë “të gjelbër” dhe zhvillim të ekoturizmit e transportit të pastër.

Ky tranzicion do të krijojë vlera të reja ekonomike, vende pune të qëndrueshme dhe stabilitet social për të ardhmen.

Vizioni për Shqipërinë e Qëndrueshme

Ne besojmë në një Shqipëri që zhvillohet pa shkatërruar mjedisin, ku mirëqenia njerëzore ecën paralel me mbrojtjen e natyrës. Një vend i pastër, i drejtë, me ekonomi të gjelbër dhe energji të qëndrueshme, që garanton sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari.