Alternativa e Gjelbër për Shqipërinë

Të Gjelbrit së bashku me disa shoqata ambientaliste dhe më gjerë krijuan rrjetin “Alternativa e Gjelbër për Shqipërinë”.

Rrjeti i Gjelbër fokusohet në fushën e mjedisit dhe të çështjeve që lidhen me të: zhvillimi i qendrueshëm, barazia gjinore në pjesëmarrjen dhe përfshirjen në politikat e gjelbra, të drejtat e njeriut etj.

Përveç organizatave krijuese të rrjetit, ftohen të marrin pjesë të gjithë organizatat që kanë interes, që kauzat mjedisore të gjejnë zgjidhje duke ushtruar presion pozitiv dhe rritur ndikimin në vendimmarrje. Për të njëjtën çështje, nëse organizatat nuk janë të bashkuara, gjasat që ato të merren në konsideratë në nivel lokal dhe kombëtar janë shumë të vogla. Faktorizimi i rrjetit në jetën publike, në përmirësimin e cilësisë së mjedisit, shëndetit dhe jetës së komunitetit është mjaft i domosdoshëm.

Tranzicioni i tejskajshëm, me mungesën e institucioneve demokratike të konsoliduara, të pavarura dhe të korruptuara, ka lënë pasoja të mëdha në mjedis. Burimet natyrore, janë keqshfrytëzuar nga një numër mjaft i kufizuar koncencionarësh dhe individësh, të cilat i kanë parë ato si një burim pasurimi vetjak duke sjell mjaft pasoja negative në ekonominë, shëndetin dhe mjedisin e komunitetit. Asetet publike, janë kthyer në personale duke shkaktuar varfëri ekonomike, në cilësinë e jetës dhe të perspektivës të mjaft të rinjve të cilët po shohin si mundësi të vetme emigracionin. Mungesa e alternativave i shtyn ata të largohen të dëshpëruar nga Shqipëria.

Rrjeti i Gjelbër synon, të rrisë pjesëmarrjen e faktorit civil në vendimarrje duke synuar të influencojë politikat në nivel lokal dhe kombëtar. Ne do të punojmë së bashku për një Shqipëri të Gjelbër! Një Shqipëri e Gjelbër do të na garantonte një zhvillim të qendrueshëm në harmoni me mjedisin sot dhe një të ardhme të sigurt nesër.

Alternativa e Gjelbër për Shqipërinë, kërkon zbatimin e Marrveshjes së Gjelbër Europiane, për një të ardhme europiane e cila e ve theksin tek dekarbonizimi i ekonomisë, transporti ekologjik, energjitë e rinovueshme, ekonomia qarkulluese etj. Rrjeti synon ofrimin e alternativës së gjelbër nëpërmjet nxitjes së ekonomisë së gjelbër, qarkulluese, ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës, krijimin e një infrastrukture eko-miqësore, investime për një zhvillim të qendrueshëm, pjesëmarrjen e komunitetit dhe të gjitha grupeve (pa u përjashtuar, paragjykuar dhe diskriminuar për arsye etnike, gjinore, kulturore, fetare, politike etj.) në vendimmarrjet e gjelbra lokale dhe kombëtare. Bashkëpunimi me këshilltarët e gjelbër lokalë, për të ofruar sugjerime dhe adresuar problematikat mjedisore, pjesëmarrja aktive në diskutimet mbi projektligje në fushën e turizmit dhe mjedisit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë, barazisë gjinore etj. janë disa nga aktivitetet që do të rrisin ndikimin e rrjetit në vendimmarrjen lokale dhe kombëtare.

Spread the love