Të Gjelbrit një realitet politik

Edlir PETANAJ 

Kryetar i Partisë së Gjelbër

          

Kur flitet për krizën mjedisore, mendoj që zgjidhja në radhë të parë është politike. Politika është përgjegjësja kryesore për shkatërrimin e mjedisit me vendimet që merr. Deri më sot ne nuk kemi pasur një politikë të ndershme dhe miqësore me mjedisin dhe burimet natyrore. Pra ajo që është emergjente është të ndryshojmë kursin politik dhe vendimmarrjet në lidhje me të. Kjo është arsyeja që NE sot kemi nevojë për një politikë ndryshe, një politikë të re, ku mjedisi të jetë prioritet i programeve të ardhshme qeverisëse.

Janë urgjente nismat politike  për mbrojtjen e pyjeve, lumenjëve, tokës, bimësisë dhe gjallesave, për reduktimin e nivelit të CO2, etj., të cilat do të ndalonin shkatërrimin dhe zhdukjen e tyre dhe njëkohësisht do të përmirësonin situatën mjedisore. Ne kemi nevojë për investime në energjitë e rinovueshme, teknologjitë e gjelbra, transportin ekologjik, bujqësinë e qëndrueshme dhe eko-turizëm. Një program i tillë jo vetëm do të kapërcente krizën ekologjike por dhe do të fuqizonte ekonominë. Zhvillimi i qëndrueshëm i një shoqërie nuk do të mund të bëhej realitet pa përfshirë politikat e qëndrueshme mjedisore.

Mbrojtja e mjedisit, klimës dhe të ardhmes kërkon mbështetjen e një politike ndyshe, ku mjedisi të jetë prioritet i programeve të ardhshme qeverisëse, duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm në harmoni dhe në respekt të mjedisit. Kjo është politika që përfaqësojnë sot Të Gjelbrit. Vetë me mbështetjen e qytetarëve Të Gjelbrit do ta çojnë më përpara alternativën e tyre politike për të ndërtuar një Shqipëri të gjelbër, ekologjikisht të qëndrueshme.

Të veprojmë së bashku tani, për të mbrojtur mjedisin, klimën dhe për të ndërtuar një shoqëri ekologjikisht të qëndrueshme. Një Shqipëri të gjelbër!

Spread the love